Në vend të një urimi për Krishtlindjet nga  At Anton Luli S.J

Isha në burg atë natë, kur mbarë bota e krishtenë përkujtonte lindjen e Jezu Krishtit me një festë shumë prekëse. Shefi i policisë më zvarriti në një nevojtore tanë handrak, në katin sipër. Aty më urdhnoi me u zhdeshë picak. Mandej lavari nji litar në tra, ma kaloi nën stjetulla e më detyroi me u çue në maje të gishtave. Më lidhi fort. Në mënyrë që trupi të mos mujte me pushue, tue e prekë tokën me kambë. E ngrehi litarin e ndjeva një dhimbje të mprehtë. M’u duk se m’u thyen tanë eshtënt. Mbeta varë ndërmjet tavanit e dyshemes, të cilën e prekshe sapak vetëm me majet e gishtave të kambëve.
Bota kremtonte Natën e Krishtlindjes. Ndërsa këtu ishte terr, shi, ftohtë. Mbeta varë, në heshtje të thellë. Një gjysëm ore, ndoshta. A një orë. Nuk më kujtohet sa. Mandej ndjeva se po më akulloheshin kambët e akulli ngjitej kadalë-kadalë. Ngjitej në gjuj, në stomak mandej… edhe pak, edhe pak, e do të mbërrinte në zemër. Më kapën të dridhuna të forta. Nuk isha ma në gjendje me e sundue trupin tem, varun në terrin e zi të natës ma të shndritshme të vjetës. Thashë me vedi: “Tashti do të des me siguri. Vjerrë mbi handrakun e nevojtores së palame qyshkur. Në vend që të isha pranë elterit, la me dritën e Natës së Madhe!”.
Ndjeva se akullina po më prekte zemrën. Atëherë nisa me bërtitë me disprim. Shefi i policisë më ndigjoi e vrapoi në atë gjiriz, ku kalojshe, ndoshta, natën e fundit të Krishtlindjes, e të jetës. Më preku nën gju. E pa se po jepshe shpirt. Nuk i duhesha gja i dekun… Më zgjidhi, prandej, shpejt shpejt e më çoi në dhomën e tij. Aty ishte një stufë e ndezun. Më vuni aq pranë stufës, sa kjesh në rrezik me u djegë për së gjalli. Sepse trupi ishte ngri aq, sa nuk e ndiente ma nxehtësinë. Vetëm mbas një gjysë ore jeta nisi me u kthye në trupin e mardhun… Nata e Krishtlindjes… Isha gjallë!”…

_____

Marlin MUÇA