Luiza Gega vijon të shkruajë me “shkronja të arta” historinë e atletikës shqiptare.

Kampionia e Evropës ka tejkaluar edhe një herë veten, duke shënuar një tjetër rezultat të madh, teksa ka vendosur rekord të ri kombëtar në garën e 3000 metrave me pengesa.

Këtë herë Gega ka mahnitur në eventin prestigjioz, “Diamond League”, të zhvilluar në Zyrih, teksa ka fiksuar kohën 9:09.64 në garën e mbrëmjes së kësaj të premteje, duke stampuar kështu rekordin e radhës në karrierë, duke përmirësuar kohën 9:10.27, të cilën e kishte regjistruar një vit më parë në Kampionatin Botëror në SHBA.

Ndërkohë, duhet theksuar se edhe në “Diamond League”, Gega nuk ishte në formën e saj më të mirë fizike, pasi ende nuk e ka kaluar plotësisht dëmtimin e pasuar rreth 2 javë më parë. Megjithatë ajo bëri një paraqitje mbresëlënëse, duke u klasifikuar në vend të katërt.