Nga Edon QESARI

Filipikën më të mençur ndaj sharlatanizmave në kulturë dhe politikë, të cilat korrin jo pa shkak duartrokitje në epokën e turmave, e ka qëndisur intelektuali i madh italian Delio Cantimori (1904-1966), figurë e paperëndueshme në lëmin e kritikës historiografike.

Shkruante ai në vitet ’50 të shekullit të shkuar:

«Kush përdor mjete racionale dhe intelektuale, mjete të kulturës, për të luftuar kundër asaj që paraqitet si e huaj për kulturën, është i prirur ta gjykojë si të pavlefshme (nga ana kulturore, gjë që është e vërtetë), pra që nuk ia vlen ta marrësh parasysh (nga ana politike, gjë që është e rreme), gjithçka që është e ashpër apo e pamatur kulturalisht: duke mos e përfillur, për pasojë. Ka raste kur, duke shfletuar njëfarë literature politike a kinse-politike, e cila mbetet jo pak e përqafuar, jo pak e lexuar dhe e përthithur nga të paditurit, na përfshin dhunshëm ngasja që të themi: të mos merremi me të tillë njerëz, se nuk ia vlen barra qiranë…Por mandej ecim në rrugë dhe i hasim këto shkrime në librari, në barrakat e gazetave pranë stacioneve, shohim t’i lexojnë të rinjtë, shohim që rreth tyre të hapen shpeshherë diskutime plot seriozitet: dhe na lind mendimi që diç duhet të ketë gjithsesi nën atë ortek fjalësh dhe pafytyrësish, nën atë ripërteritje dokesh të shkuara, nën ato lartësime misticizmash si pa gjë të keqe. Diçka e papërkufizuar mirë, e papërkufizueshme, e veshur me trajta ashpërsie dhe pamaturie i hap rrugën vetes dhe bën përpara: filozofi mbase mund ta zhvlerësojë si diçka irracionale, politikani mund ta quajnë reaksionare, por nuk dihet tamam se ç’është. Ama e rrezikshme mbetet, për shkak të mprehtësisë nëpërmjet të cilës di t’i drejtojë përherë gishtin akuzues kundërshtarëve të vet, si të vakët, të pasigurt, “qenie të ulta intelektuale”, përballë sigurisë teokratike që i jep feja e vet, përballë zellit që merr flakë nga hiçi, që vetëshpallet pa pikë ndrojtjeje: ashpërsisht po, por assesi pa maturi, si dhe me vendosmëri për rrjedhojë, me një vullnet të përhershëm pavarësisht se të paqartë – çka nuk duhet të lihet gjithsesi jashtë vëmendjes, e as të nënvlerësohet.»