Sonila Bejtja është anëtarja e shtatë e Gjykatës Kushtetuese. Presidenti Ilir Meta ka vendosur ta emërojë atë gjyqtare të “Kushtetueses”.

Më herët, gjatë ditës, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi i çoi kreut të shtetit emrin e Bejtjes pasi ajo iu nënshtrua intervistimit. Vetëm emri i saj i është përcjellë Presidentit nga KED pasi për vendin e lënë bosh nga gjyqtari Besnik Muçi që nuk e kaloi dot vetingun, garonin Altin Binaj dhe Zhaklina Peto.

Altin Binaj u emërua pak ditë më parë si anëtar i gjashtë i Gjykatës Kushtetuese, pasi garonte për një tjetër vakancë, ndërsa Peto u largua nga gara edhe pse vazhdon ende betejën institucionale me KED.

Gjykata Kushtetuese bëhet me shtatë anëtarë pasi në detyrë deri në ardhjen e zëvendësuesit qëndron Vitore Tusha e cila vjen nga radhët e gjyqtarëve që propozon Gjykata e Lartë.

Anëtarët e Gjykatës Kushtetuese pritet të shqyrtojnë të paktën 140 dosje të mbetura pezull në këto 3 vite, mes të cilave edhe ajo e zgjedhjeve lokale të 30 Qershorit si dhe shembja e Teatrit Kombëtar.