Nga Saimir Z. KADIU

Dikur ishte dita e parë e shkollës…

Kjo fotografi fantastike e fotografit të famshëm Leonard Freed “Duke shkuar në shkollë”, Napoli, Itali (1956), më kujton fëmijërinë…

Kur shkonim në shkollë pa “bodigardë”… Dhe çantat e shkollës (më të mirat në ato kohëra ishin 220 lekë të vjetra) i mbanim vetë…
Kur nënat tona me ato mundësi minimale kujdeseshim që të ishim në rregull me uniformën shkollore…
Kur mesueset fisnike na bëheshim si nëna të dyta…
Kur luanim futboll pas orëve të mësimit në rrugicat e lagjeve dhe grisnim të vetmet këpucë që kishim…
Kur ndanim bukën me vaj dhe sheqer përpara se të fillonim lojen…
Kur ziheshim, shaheshim nga nëna dhe më pas pajtoheshim…
Kur shkonim në ditëlindjet e njëri-tjetrit me dhurata modeste….
Kur qanim se kishim frikë të shkonim tek dentisti…
Kur epitetet ndaj shokëve ishin thjesht krahinore:
“lapi”, “çomi”, “greku”, “maloku”…
Kur e uronim njëri tjetrin “i gëzofsh!” për ndonjë gjë të re që vishnim…
Kur shkonim në stadium sikur të ishim një familje e madhe…. Dhe “ziheshim” pas ndeshjes duke mbrojtur ngjyrën e skuadrës së zemrës…
Kur shkonim me shokët të djelave paradite në kinema me 5 lekë të vjetra…, apo 2 veta me një biletë kur kjo e fundit ishte 20 lekë të vjetra…
Kur mburreshim dhe krenoheshin me shokët dhe shoqet tona të talentuara…
Kur e dinim kush ishte më i miri i klasës, pa dalë ende dëftesa e fundvitit…

Sa të pamundura janë sot këto ndjenja për fëmijët tanë…

Jetojnë në kushte shumë më të mira, të pakrahasueshme me fëmijërinë tonë, por fatkeqsisht nuk i jetojnë emocionet që kemi pasur…

Dhe fëmijëria pa emocione nuk është kurrë e lumtur…

Ah, ç’mu kujtua fëmijëria…