Votimi nuk ishte i fshehtë dhe proçedura e ndjekur ishte ajo e kushteve të reja që imponon Covid-19. Asgjë për t’u fshehur apo edhe e kundërta.

Por Presidenti i Republikës, Ilir Meta, publikoi listën e 97 deputetëve që votuan pro ndryshimeve të reja të Kodit Zgjedhor, si listë “tradhtarësh” sa kohe që bashkëngjitur listës, ai shkruan se “ata” janë emrat që bllokuan integrimin dhe të ardhmen europiane.

“Kjo është lista e 97 emrave që kanë ngritur dorën për të bllokuar integrimin dhe të ardhmen europiane të Shqipërisë”, shkruan ai.

Meta i bashkëngjit listës dhe komentit sa më sipër postimin e ashpër (të një dite më parë) të përfaqësuesit të grupit të Partive Popullore Evropiane në PE, Michael Gahler, duke e cilësuar si qëndrim të vetë PPE-së…

…Krahas votimit në bllok të deputetëve të PS-së për ndryshimet në Kod, të hënën votuan pro tyre edhe 16 deputetë të opozitës parlamentare, 10 prej tyre emra deputetësh nga listat e LSI.

Lista ka me bollëk emra anonime, por disa prej tyre “të njohur” vetëm për gafa nga më të rëndomtat gjatë fjalimeve në Kuvend.

Ndoshta për këtë të fundit do ia vlente një diskutim, por asesi për tu mveshur atyre një “barrë” aq të madhe sa për t’i cilësuar pengues të integrimit. Se fundja, nuk ia vlen asfare, t’ua rrisim aq “standardin” dhe për pasojë edhe fajin.

Ata janë e vetmja arsye në Kuvend për kuorum numrash. Asgjë më shumë.

Sipas raporteve të Institutit të Studimeve Politike për aktivitetin e Kuvendit, qeveria ka ruajtur mesatarisht 88% të votave të Kuvendit për miratimin e ligjeve, ajo aktualisht ka një rritje të frikshme të raporteve në Kuvend me rreth 28% deri në 42% më shumë sesa verdikti i qytetarëve (për të) në zgjedhjet parlamentare. Për të mos folur pastaj për ndonjë mocion, komision hetimor apo interpelancë me kryeministrin… Kjo do të ishte shumë për ata “tradhtarët” e integrimit…