Në fshehtësi të plotë, në një nga ditët e vitit 2012, at e bir vranë me armë zjarri Eglantina Bucin dhe më pas e groposën në Malin me Gropa.

31-vjeçarja është vrarë brutalisht nga babai dhe vëllai i saj vetëm sepse kishte vendosur të bashkëjetonte me një djalë, pa lejen e tyre.

Faik Buci

Zhdukja e saj mbeti pa nam e nishan deri tre vjet me parë kur rinisën hetimet dhe u bë i mundur identifikimi shkencor i eshtrave, të cilat i përkasin pikërisht shtetases Eglantina Buci, 31 vjeçe, lindur në Dibër dhe banuese në Babrru.

Ngjarja e rëndë është bërë publike nga Policia në kuadër të operacionit policor “HESHTJA”.

I ati i saj Faik Buci, 66 vjeç, lindur në Dibër dhe banues në Babrru të Tiranës është arrestuar sot nga Policia.

Në momentin e kapjes këtij shtetasi i është gjendur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale edhe një armë e ftohtë thikë.

Shkelzen Buci

Ndërsa vëllait të viktimës, Shkëlzën Buci vetëm 37 vjeç, i është komunikuar masa e sigurisë në ambientet e burgut ku po vuan dënimin, për një tjetër ngjarje për “Vrasje me paramendim” të ngelur në tentativë, të ndodhur në Tiranë, në vitin 2017.

Ky shtetas aktualisht është duke vuajtur dënimin me 13 vite burgim.