Te Barcelona kanë nisur “manovrat e mëdha” për rinovimin e kontratës së Leo Messit. Ardhja e Joan Laportas në presidencë sigurisht ka zbutur marrëdhëniet mes palëve dhe, siç nënvizon “Sport”, përshtypja është se kampioni argjentinas tani është i bindur për ta vijuar karrierën e tij të jashtëzakonshme me fanellën katalanase.

Një rol vendimtar, siç u përmend, luan Laporta, i cili siguroi që marrëdhënia e tij me sulmuesin të ishte shumë e mirë. Objektivi i tij është ta bindë “Pleshtin” që të qëndrojë, pavarësisht sirenave të PSG-së.

Jorge Messi, babai dhe njëkohësisht menaxheri i lojtarit, sipas transmetuesit “TV3”, kohët e fundit është afruar ndjeshëm me drejtuesit e klubit.

Sipas mediave katalanase, Laporta nuk ka bërë ende një propozim ekonomik, sepse deri në mes të majit ai nuk do të jetë në gjendje të kuptojë me saktësi financat e klubit. Laporta i ka thënë Messit që të ketë durim. 6 herë fituesi i “Topit të Artë”, do të pranonte një kontratë shumëvjeçare: dy vjet të tjera në ekipin e parë, para se të përfundonte karrierën e tij si lojtar në MLS, ku ai gjithashtu do të jetë ambasador i klubit “blaugrana”, dhe më në fund të kthehet te Barcelona për të marrë një rol drejtuesi.