Bashkim Tahiri, babai i ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri reagon pas dënimit të djalit ditën e premte dhe që sot u transferua në burgun e Fierit për të vuajtur dënimin 3.4 vite burg.

Në një intervistë për “5pyetjet”, ai u shpreh se ndihet keq për dënimin, por edhe krenar për djalin, pasi sipas tij nuk i ka shkelur njeriu në kallo dhe nuk është implikuar për akuzat që u ndëshkua.

“Si çdo prind, ndihem keq. Është fare logjike kjo punë, çdo prindi edhe sikur t’i rrëzohet fëmija në trotuar do të ndihet shumë keq. Kjo ka edhe një gjë pastaj, unë jam me kokën lart, se në fund të fundit, ai ka punuar dhe sakrifikuar shumë, nuk i ka hyrë asnjë njeriu në hak.

Nuk ka shkelur njeri në kallo, nuk ka vjedhur njeri, nuk ka vrarë njeri. Absolutisht nuk është marrë me këto veprimtari negative. Kështu që ashtu sikur ndihem keq, ndihem edhe krenar, pasi nuk i kemi bërë keq asnjë njeriu. Dhe aq më tepër që ai ka kontribuar shumë si për PS-në dhe policinë”, tha ai.

Pas dërgimit në qeli, Bashkim Tahiri tha se ka pasur komunikime me djalin, i cili i ka kërkuar familjes që të ruajnë qetësinë. “Po, kam komunikuar. Duhet të ruajmë veten që t’i ngremë moralin atij”, tha ai.

Pas dënimit të Saimir Tahirit, socialistët heshtën në media, por disa prej tyre, Bashkim Tahiri tha se e kishin telefonuar. “Mua më kanë marrë deputetë individualisht”.