Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe disa qeveri europiane kanë kërkuar nga Rusia lirimin e menjëhershëm të liderit opozitar Alexei Navalny. 44-vjeçari u arrestua në momentin që shkeli në Moskë të dielën, pasi mbërriti nga Gjermani. Aktivisti kthehej në shtëpi, 5 muaj pasi për pak sa humbi jetën si pasojë e helmimit, një ngjarje për të cilën ai thotë se fshihen autoritetet ruse.

Sekretari amerikan i shtetit, Mike Pompeo tha se autoritetet ruse po përpiqeshin të heshtnin zërat kritikë. Ai kërkoi lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të Navalny-t. Edhe këshilltari i ardhshëm për sigurinë i presidentit të zgjedhur amerikan Joe Biden, Jake Sullivan reagoi me të njëjtat tone, duke e cilësuar arrestimin e tij si dhunim të të drejtave të njeriut.

Reagime të menjëhershme pati nga Franca, Italia, Gjermani dhe presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel, që kërkuan po ashtu lirimin e 44-vjeçarit.

Qeveria britanike u shpreh thellësisht e shqetësuar për arrestimin e Navalny dhe shtoi se “në vend se të persekutojnë viktimën e këtij krimi të krimi, autoritetet ruse duhet të hetojnë sesi arma kimike e përdorur për helmimin e tij përfundoi në tokën ruse”.

Edhe Gjermania reagoi ashpër dhe kërkoi lirimin e menjëhershëm të opozitarit rus.

Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas tha se Rusia duhet të respektojë kushtetutën e saj dhe është e lidhur përmes detyrimeve ndërkombëtare me parimin e ligjshmërisë dhe ruajtjen e të drejtave qytetare. “Këto parime duhet sigurisht të zbatohen edhe në drejtim të Aleksej Navalnyt. Ai duhet të lirohet pa vonesë.”

Gazeta amerikane “New York Times” shkruan mbi arrestimin e Navalnyt të hënën, se “represioni është e vetmja rrugë që njeh Putini. Por ai është duke kuptuar, se në epokën e mediave sociale, çdo arrestim për shkak të akuzave të shpikura vetëm i shton përkrahësit e zotit Navalny dhe forcon akuzat e tij (Navalnyt) kundër korrupsionit të pushtetmbajtësve rusë (…)”.

Në një deklaratë gjatë orëve të vona të së dielës, autoritetet ruse thanë se lideri i opozitës ishte në kërkim që prej 29 Dhjetorit 2020, për shkelje të vazhdueshme të lirisë me kusht. Në reagim thuhej se ai do të qëndrojë në burg deri në një vendim të gjykatës.

Autoritetet e akuzojnë atë për shkelje të kushteve të vendosura pas dënimit për mashtrim, një çështje të cilin Navalny e ka konsideruar gjithmonë të motivuar politikisht.

Navalny po udhëtonte me avion në Siberi Gushtin e shkuar, kur ra përtokë dhe më vonë u zbulua se ishte helmuar me agjentin nervor të njohur si Novichok. Autoritetet ruse kanë mohuar në mënyrë të vazhdueshme çdolloj roli në helmimin e tij dhe Kremlini i ka hedhur poshtë akuzat e Navalny-t se vrasjen e tij e kishte urdhëruar vetë Presidenti Vladimir Putin