Kryetari i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, ka folur për mediat pas mbledhjes së grupit. Balla u pyet për zgjedhjen e Presidentit të ri.

Ai u shpreh se më 24 Maj do të mbarojë procesi dhe do të kemi Presidentin/en i ri të Republikës.

“E para një herë duhet të kuptoni që neni 88 i Kushtetutës ka përcaktuar kohën kur fillon procesi i zgjedhjes së Presidentit. Ky nen thotë që procedurat fillojnë jo më vonë sesa 62 ditë nga data e përfundimit, që do të thotë jo më vonë se sa 24 Maji. Kuvendi ka ende kohë në dispozicion, edhe pak ditë në dispozicion derisa të fillojnë procedurat. Procedura për zgjedhjen e Presidentit të Republikës merr 5 raunde votimi në Kuvend që janë të ndara mes tyre. Këtij procesi do duhet t’i lihet koha e nevojshme. Në 2017 Presidenti i Republikës është zgjedhur më 27 Prill sepse hynte një parashikim tjetër i Kushtetutës sepse përkonte me procesin e mbarimit të mandatit të Kuvendit dhe zhvillimin e zgjedhjeve të përgjithshme. Në rastin tonë procesi duhet të përfundojë me datë 24 Maj dhe atëherë, brenda datës 24 Maj që është edhe një ditë që besoj se e mbani mend ka pasur një kontekst historik do ta kemi edhe Presidentin e ri të Republikës ose Presidenten e re të Republikës”, tha Balla.

“Jam kryetar i grupit parlamentar të PS. Dua t’ju them që edhe sot, në konferencën e kryetarëve nuk do të kemi kalendar për këtë çështje. Besoj se kalendari për procesin e zgjedhjes së Presidentit do të miratohet në një nga mbledhjet pasardhëse të konferencës së kryetarëve. Ky proces ka një kalendar të posaçëm. Duroni dhe pak ditë dhe sapo ta miratojmë atë kalendar. Një kandidat për të qenë kandidat për President duhet të mbledhë jo më pak se 20 firma dhe asnjë firmëtar nuk mund të firmosë për më shumë se 1 kandidat”, shtoi më tej Balla.