Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov e quajti Ballkanin e Hapur nismë të Serbisë dhe tha se vendet perëndimore urdhëruan bllokimin e udhëtimit të tij në Beograd për të mos lejuar që ai të mbështeste këtë nismë.

“Shihet qartë se zyrtarët e Brukselit nuk kanë dashur që ne të konfirmojmë pozicionin tonë për Kosovën, Bosnjë-Hercegovinën dhe të shprehim përkrahjen për iniciativën e Beogradit, Ballkani i Hapur”, ka thënë Lavrov në një konferencë për mediat.

Ballkani i Hapur është zyrtarisht një nismë e themeluar nga Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, për të lehtësuar kalimin e njerëzve, mallrave dhe shërbimeve mes shteteve.

Tri vendet kanë ftuar në këtë nismë edhe Kosovën, Malin e Zi dhe Bosnjë-Hercegovinën. Por ndërsa Prishtina dhe Sarajeva kanë refuzuar, Mali i Zi ka deklaruar se do të marrë pjesë në samitin e ardhshëm, si vend vëzhgues.

Lavrov deklaroi se disa vende anëtare të NATO-s e kanë penguar vizitën e tij në Serbi dhe se aktivitetet ndërkombëtare të Beogradit në drejtim të Rusisë janë bllokuar.

“Është një tjetër demonstrim se sa larg mund të shkojnë NATO dhe BE duke përdorur mjetet më të ashpra”, u shpreh diplomati rus.

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov u detyrua të anulojë vizitën e tij në Serbi, pasi 3 shtete ballkanike mbyllën hapësirat e tyre ajrore për avionët që nisen nga Rusia.

Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Bullgaria, ishin tre shtetet që mbyllën hapësirën ajrore për avionin e diplomatit rus.

Anulimi i vizitës së Lavrov, është konfirmuar edhe nga ministria e Jashtme e Rusisë. Ishte planifikuar që diplomati rus të mbërrinte këtë të hënë në Beograd, ku do të zhvillonte një vizitë dy ditore.