Ambasadori i BE në Tiranë, Luigi Soreca, u akuzua nga Adriana Kalaja, përfaqësuese e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, se ka pasur një takim me gjyqtaren Vitore Tusha, ditën e seancës për çështjen e Teatrit Kombëtar, ndërsa kërkoi shpalljen non grata të tij.

Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri ka reaguar në lidhje mbi këto akuza, duke i quajtur shpifje dhe të pabazuara.

Ndërkohë theksohet se takimi që Soreca ka pasur me kryetaren e Gjykatës Kushtetuese, Vitore Tusha, ishte pjesë e një serie takimesh që Ambasadori po zhvillon gjatë ditëve të fundit me të gjithë kryetarët e institucioneve të drejtësisë për të diskutuar mbi gjendjen e zbatimit të reformës në drejtësi në Shqipëri.

“Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri përgënjeshtron me forcë deklaratat bazuar në shpifje prej një përfaqësueseje të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar drejtuar Ambasadorit Luigi Soreca.

Delegacioni i BE-së në Shqipëri konfirmon që Ambasadori Soreca është takuar me Kryetaren e Gjykatës Kushtetuese, Znj. Vitore Tusha, mëngjesin e 16 qershorit 2021. Takimi ishte pjesë e një serie takimesh që Ambasadori po zhvillon gjatë ditëve të fundit me të gjithë kryetarët e institucioneve të drejtësisë për të diskutuar mbi gjendjen e zbatimit të reformës në drejtësi në Shqipëri. Gjatë takimit nuk pati asnjë diskutim në lidhje me çështjen e hapur në Gjykatë mbi Teatrin Kombëtar. Delegacioni i BE-së në Shqipëri dhe Ambasadori Soreca vazhdojnë të mbështesin fuqimisht dhe në mënyrë sistemike pavarësinë e të gjitha institucioneve gjyqësore shqiptare.

Delegacioni i BE-së rezervon çdo të drejtë për të ndjekur ligjërisht deklaratat e bazuara në shpifje të bëra sot në media”.