Barbados është shkëputur zyrtarisht nga drejtimi i Mbretëreshës Elizabeth II gjatë një ceremonie të zhvilluar në mesnatë. Tashmë, një nga perlat e Karaibeve nuk i përket më kurorës britanike dhe është një republikë, përkatësisht më e reja në botë, e cila ka në krye Presidenten e saj.

Ish-guvernatorja e vendit, Sandra Mason, u betua si Presidente duke shënuar një epokë të re, ndërsa kjo datë përkoi me 55-vjetorin e pavarësisë. Për të simbolizuar ndryshimin e pushtetit, një përshëndetje e fundit iu kushtua monarkisë britanike dhe më pas, flamuri zyrtar mbretëror u ul dhe u zëvendësua.

I ftuar nderi në event, ishte Princi Charles i cili në fjalimin e tij tha se të dy vendet do të vazhdonin të ishin të lidhura, pavarësisht ndryshimit të Kushtetutës. Gjithsesi, Barbados mbetet ende një nga vendet e Commonwealth.

Ceremonia u pasua nga betimi i Kryeministres, Mia Mottley përpara Presidentit. Ndërsa artistja e njohur, Rihanna, e pranishme në ceremoni, ka lindur pikërisht në këtë ishull dhe u shpall Heroinë Kombëtare.