Lulzim Basha zhvilloi dy ditë më parë një takim në Durrës me mbështetës të Partisë Demokratike. Por mësohet se aty është diskutuar me krerët e degës së qytetit bregdetar në lidhje me kandidatin e mundshëm për kryetar bashkie.

“Ju siguroj që PD, dega e Durrësit, në mënyrën më gjithëpërfshirëse dhe transparente, do t’i ofrojë Durrësit personin më të denjë që edhe pse ky është një proces zgjedhjesh të pjesshme lokale të përfaqësojë kontrastin e madh që sot ndodhet kudo në Shqipëri, midis një pakice absolute që Durrësin, pronat e qytetit dhe portin e shohin si plaçkën e tyre personale dhe durrsakët si skllevërit e tyre dhe PD-së e përfaqësuesve tanë që mezi presin momentin që bashkë me shqiptarët, t’i kthejnë dinjitetin e nëpërkëmbur dhe të drejtat e mohuara të durrsakëve dhe gjithë shqiptarëve”, tha Basha në takimin e zhvilluar në Durrës.

Emri më i përfolur që edhe ka një konsensus në degën lokale të PD-së, është ai i Luan Hotit, i cili është kryetari i kësaj partie për Durrësin. Mësohet Hoti i është vetofruar Bashës për këtë post dhe se kryedemokrati do të marrë një vendim final.

Hoti është sulmuar së fundi nga ish-kryeministri Sali Berisha dhe ai së fundmi i është kundërpërgjigjur këtyre sulmeve. Gjasat që emri i tij të marrë bekimin edhe nga grupimi Berisha në Durrës janë të pakta. Ndërsa nga kampi Berisha po përflitet edhe një emër tjetër, është ai i biznesmenit të njohur Ardian Muka, i cili është numri dy i PD-së.

Nga kampi i PS-së tashmë dihet emri i caktuar është ai i Emirjana Sako. Ndërsa enigmë mbetet nëse LSI do të dalë me një kandidat të tyrin ose jo.