Lulzim Basha shkoi në selinë e PD pas mbylljes së kuvendit kombëtar të thërritur nga kryesia e partisë, në përfundim të të cilit, u mor vendimi që të përjashtohen nga hierarkia e partisë ata persona të shpallur “non grata” dhe që kanë pasur poste drejtuese gjatë regjimit komunist.

Duke folur për gazetarët, Basha e hodhi poshtë pretendimet e Sali Berishës dhe mbështetësve të tij të cilët thonë se e kanë shkarkuar Bashën më 11 dhjetor, ndërsa këtë të shtunë organizuan në të gjithë vendin një referendum për të ratifikuar vendimin e shkarkimit të Bashës.

“Nuk ka referendum, ka vetëm disa anëtarë të PD të cilëve u bëj thirrje t’i bashkohen vendimeve të institucioneve. PD ka pasur një aktivitet, rezultati është shpallur. Ka një parti Demokratike, me një kuvend kombëtar. Të gjitha të tjerat janë përpjekje personale të një njeriu për t’i kthyer demokratët mish për top”, tha Basha.

Ka zëra se Berisha dhe Komisioni i rithemelimit do të vijnë në selinë blu për të shpallur rezultatin e referendumit sot. Do të jeni këtu, do ta prisni rezultatin?

Lulzim Basha: Nuk ka referendum, nuk ka komitet rithemelimi. Ka një PD dhe një Kuvend Kombëtar që sot mori vendimin e tij!

Nuk respektoni ata anëtarë që sot për më shumë se 8 orë iu drejtuan qendrave të votimit në të gjithë vendin?

Lulzim Basha: Ju nuk keni asnjë informacion se ata janë anëtarë të PD. Unë di se ka disa anëtarë të PD të cilëve iu bëj thirrje që t’i bashkohen vendimeve të institucioneve të PD.

A do të qëndrojë e hapur selia për ata që duan të shpallin rezultatin për atë aktivitet që ju nuk po e konsideroni?

Lulzim Basha: PD ka pasur një aktivitet sot, rezultatin është shpallur. Sot PD ka pasur vetëm një aktivitet. Ka një Parti Demokratike që ka pasur një Kuvend Kombëtar sot. Të tjerat janë përpjekje personale të një njeriu për t’i kthyer demokratët në mish për top. Kjo do të refuzohet me vendosmëri të prerë.

Ju ndërroi mbiemrin ju quajti Lul Brava?

Lulzim Basha: As nuk i kam dëgjuar deklaratat e tij sepse për një kohë të gjatë kam vendosur interesat e tij, sigurisht mbi interesat e kryetarit, por kam frikë se nganjëherë edhe mbi interesat e demokratëve. Kjo kohë mori fund sot.