Ndërsa vaksinimi kundër Covid-19 nisi të dielën në vendet e Bashkimit Europian, Shqipëria ende nuk ka një datë zyrtare se kur do mund ta sigurojë vaksinën për qytetarët.

Lajmi i shpërndarjes së vaksinës në vendet e BE ka bërë që këshilltari i kryeministrit Rama, Endri Fuga të reagonte në Twitter duke thënë se vendet e Ballkanit Perëndimor janë lënë në forcat e tyre.

“Dhe ta mendosh se popullsia e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor arrin të bëjë më pak sesa popullsia e një vendi të vetëm të Bashkimit Europian. Në pandemi ti mund të jesh aq i sigurt sa janë edhe fqinjët e tu”, shkruante dje Fuga në Twitter.

Këtë “kritikë” ndaj BE-së, e ka shfrytëzuar ambasada ruse në Tiranë, që thotë se Rusia është e gatshme të sjellë vaksinën e saj “Sputnik-V” edhe në Shqipëri

“Ju bëjmë me dije se Fondi Rus i Investimeve Direkte është autorizuar të zhvillojë negociata me vendet, të cilat janë të interesuara për të blerë vaksinat kundër COVID-19. Nuk kemi dyshime se Rusia është e gatshme të sjellë vaksinën e saj “Sputnik-V” edhe në Shqipëri. Vaksinimi me “Sputnik-V” tashmë filloi në Rusi dhe në Argjentinë, ndërkohë më shumë se 50 vende kanë aplikuar për të blerë 1,2 miliard dozë të preparatit”, shkruan ndër të tjera në rrjetet sociale ambasade ruse në Tiranë.

I nderuar z. Endri Fuga,

Ju bëjmë me dije se Fondi Rus i Investimeve Direkte (https://rdif.ru/Eng_Index/) është…

Posted by Embassy of Russia in Albania / Посольство России в Албании on Monday, 28 December 2020