Lulzim Basha, në një aktivitet me poetët në “ArTurbina” për lëvizjen studentore të vitit 1990, kërkoi falje për gabimet e Partisë Demokratike përgjatë viteve dhe u zotua se PD-ja do të qëndrojë gjithmonë e bashkuar.

“Ne e dimë që detyra jonë kryesore është të përballemi me regjimin aktual, por përpara kësaj duhet të kërkojmë falje. Ka ardhur momenti, 31 vite më vonë, që të shkulim mentalitetin komunist: të linçimit të mendimit ndryshe, të vënies dorë në zgjedhje, të heqjes dorë nga gara e ndershme në ekonomi. Kërkoj sot falje për të gjitha përgjegjësitë tona, gabimet dhe fajet tona, që i ka mundësuar këtij regjimi që ta kthejë Shqipërinë në dimension vuajtjeje”, tha Basha.

“Zotohem sot se PD-ja është në këmbë, është e fortë, ka ditur dhe do të dijë të qëndrojë e bashkuar, sepse kemi misionin “Shqipërinë si gjithë Europa”, shtoi kreu demokrat.

Basha nënvizoi se “kulti i individit shkatërroi individualitetin e çdo shqiptari” dhe se “nuk mund të ketë Europë nëse dikush i mbivendoset dikujt tjetër”.

Kryedemokrati u shpreh se Lëvizja Studentore e vitit 1990 arriti te rrëzoje komunizmin, por jo të zhbëjë mentalitetin komunist.

“Nuk dua të zgjatem, dua të ndalem vetëm në një episod që më ka ngelur në mendje. Një vajzë më kujtohet që i kthehet Adil Çarçanit dhe i thotë nuk dua të lind më fëmijë për partinë tuaj. Është një thirrje që këtë e ndjejnë shumë nënat. Kjo është një thirrje ndaj Adil Çarçanit. Kjo pasojë e diktaturës që i dha guxim, kjo pasojë është më e tmerrshme si kurrë. Është pasojë e një regjimi të ri, në forma më të sofistikuara shkel liritë, e shprehjes së mendimit dhe të drejtësisë. Është pasojë e këtij regjimi që Shqipëria po zbrazet me ritme më të shpejta si më parë. Përgjegjësi kryesor është regjimi që ka vrarë zgjedhjet, vrau votën e lirë. E dimë se detyra kryesore është të përballemi me këtë regjim. Nuk ka më kohë për mua dhe brezin tim se do ishte një mëkat i pashlyeshëm ndaj të rinjve të sotëm që të mos pranojmë atë pjesë të fajit që është e jona. Fakti që shkulëm komunizmin dhe jo mentalitetin komunist” – tha Lulzim Basha.