Nga Mati, ku përsëriti akuzat ndaj kryeministrit Edi Rama për manipulim të procesit zgjedhor, Sali Berisha lëshoi akuza të ashpra dhe ndaj kryedemokratit Lulzim Basha për mënyrën sesi ai organizoi zgjedhjet për kryetar partie pas humbjes.

Berisha deklaroi se procesi zgjedhor në PD për zgjedhjen e kryetarit ishte i manipuluar, madje kërkoi dhe dorëheqjen e Kryesisë, e cila sipas tij në mënyrë antistatutore është zgjedhur nga Lulzim Basha.

“Lulzim Basha iu ka borxhe të jashtëzakonshme të demokratëve. Po ju them që procesi që ai zhvilloi për kryetar PD-je ishte kryekëput i manipuluar. Pra edhe ky shkelmoi mbi votën. Na zgjodhi një Kryesi për votë. Për herë të parë në historinë e PD, peng Basha zhduku votën.60% të Kryesisë e emëroi. Histori më të turpshme nuk ka. E spostoi partinë drejt organizimeve komuniste. Kryesia nuk emërohet, ajo zgjidhet me votë të fshehtë, vetëm atëherë është legjitime. Nuk e la të votohej pasi e dinte që nuk votohej Kryesia e tij. Emëroi një Kryesi e cila në një akt ilegjitim vendosi të thërrasë antiKuvendin. I them çdo anëtari Kryesie se ju jeni të rinj në politikë dhe duhet të korrigjoni qëndrimin tuaj. Në politikë gabohet, e rëndësishme është korrigjimi i gabimit. Sa më shpejt jepni dorëheqjen, bashkohuni me kuvendin rithemelues të PD”, u shpreh Berisha.