Nga foltorja e Kuvendit, Lulzim Basha e konsideroi një hap pozitiv arrestimin e ish-ministrit Lefter Koka, ndërsa hodhi akuza të drejtpërdrejta në drejtim të “trekëndëshit të Bermudës”, siç e ka pagëzuar tashmë, Ramën, Berishën e Metën.

“Hapi parë i ndërmarrë javën e kaluar me arrestimin e një prej ministrave të këtij që qëndron pas, mund të jetë një dritë shprese që një nga kolonat që mbajnë bashkë shoqërinë, të fillojë të rindërtohet. Prej më shumë se 5 vitesh ky që qëndron pas dhe trekëndëshi i Bremudës janë përpjekur të ndërtojnë fasadën potemkin të një reforme në drejtësi, por pa gjyqtarë e prokurorë efektivë. Me njerëz që japin garanci që nuk do prekin asnjë nga brinjët e trekëndëshit të Bermudës, me gjyqe si ai i Saimir Tahiri që nisi po kurrë nuk bitisi dhe pastaj rinisi”.

Ish-ministrin Koka e cilësoi bishtin e aferës së inceneratorëve dhe tha se “koka” e vërtetë është kryeministri Edi Rama.

“Me të pandehur të njoftuar prej vitesh nga media dhe opozita që sot janë në arrati, në qofshin gjallë akoma, e nuk kanë marrë plumbin kokës nga mafia e inceneratorëve, e me një kokë turku që për ironi që e ka mbiemrin Koka. Që më fakt është bishti se koka është pas meje. Se nuk ka shpjegim tjetër, në asnjë vend tjetër normal, nuk ka… edhe qytetari më i thjeshtë i Afrikës e kupton që 17 vendime brenda ditës nuk mund të ndodhë, nuk kanë si të ndodhin nëse koka është Koka që është sot në pranga, dhe jo ky që është pas meje. Ky është thelbi i sundimit në Shqipërisë sot, një kastë që ka asgjësuar demokracinë, ka paralizuar drejtësinë dhe kërkon ta shndërrojë këtë parlament në një foltore qesharake, kopje të foltoreve të tjera, ku flitet për gjithçka përveçse për problemin e vërtetë”.