Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka zhvilluar sot një bisedë me disa të rinj që nuk kanë pasur mundësi të përfundojnë studimet e larta dhe të tjerë që nuk i kanë nisur fare për shkak të pamundësisë ekonomike.

Kreu i opozitës gjatë bisedës shpjegoi  planin e PD për arsimin, veçanërisht pjesën për pagat e mësuesve. Sipas Bashës pagat e ulëta të mësuesve janë dëmi më i madh që u bëhet studentëve dhe nxënësve në të gjitha nivelet e arsimit.

Basha iu tregoi të rinjve se rruga e vetme është ndryshimi dhe vendosja e politikës në shërbim të njerëzve.

“Resursi, burimi, forca më e madhe që kemi për të ndryshuar është një politikë në shërbim të njerëzve. Investimi më i madh i kundërshtarit tonë politik sot në qeveri është të zhbëjë besimin tek politika si instrument ndryshimi. Kjo është një qeveri dhe ky është një kryeministër që mendon vetëm për veten, nuk mendon për njerëzit.

Dhe pastaj mundohet të shkatërroje instrumentin e vetëm një njeh demokracia për ndryshim që është investimi të një vizion i ri, të një energji e re, te një përqasje e re. Jo thjesht një ndryshim karrigesh, një ndryshim përqasje. Një politikë në shërbim të njerëzve, një politikë e cila i vë interesat e qytetarëve te parat është forca e vetme që mund të sjellë ndryshimin. Dhe i gjithë investimi i tyre përdoret për të shkatërruar besimin që ky ndryshim nuk ndodh për të thënë që kështu është e thënë, kështu është e shkruar, nuk ndryshon dot.

Shqipëria kështu e ka fatin të shkruar, ne kështu e kemi fatin të shkruar, s’kemi asnjë rrugë tjetër. O të ulim kokën, o të largohemi nga vendi. Jo, nuk ka pse të jetë kështu dhe nuk do të jetë kështu pas 25 Prillit, besoj që ky të jetë një motiv i mjaftueshëm për të na bërë të gjithëve bashkë dhe për të sjellë ndryshimin që meritojnë të gjithë familjet shqiptare pavarësisht bindjeve politike dhe ndryshimin që kërkon dhe meriton në veçanti rinia shqiptare”, deklaroi gjatë bisedës Basha.