Komisioni Evropian disbursoi sot 90 milionë eurot e para të ndihmës makro-financiare (MFA) për Shqipërinë për të ndihmuar rimëkëmbjen sociale dhe ekonomike të vendit.

Shqipëria është vendi i 8 që përfiton rimbursim nga programi për ndihmën makro-financiare. MFA është një paketë emergjence që përfshin partnerë dhe vende fqinje me BE-në dhe synon që të ndihmojë në kufizimin e rënies ekonomike për shkak të koronavirusit.

Disbursimi do të kontribuojë në lehtësimin e disa pasojave socio-ekonomike të pandemisë së koronavirusit. Ndërkohë, ambasadori Soreca ka bërë të ditur se më herët gjatë këtij viti do të bëhet edhe një disbursim tjetër prej 90 milionë Eurosh.

“Covid-19 nuk njeh kufij: BE qëndron në krah të Shqipërisë dhe qytetarëve të saj në këto kohë të vështira. Ky disbursim i parë prej 90 milion eurosh do të kontribuojë në zbutjen e pasojave të rënda negative socio-ekonomike të pandemisë, duke mbështetur kategoritë e prekshme në Shqipëri. Një disbursim i dytë i prej 90 milion eurosh të tjera do të pasojë më vonë këtë vit, me përmbushjen e kushteve të politikave. Ky program është një demonstrim tjetër i fortë dhe konkret i solidaritetit të BE-së me Shqipërinë dhe qytetarët shqiptarë në një kohë krize të paprecedentë”, shprehet ambasadori i BE-së Luigi Soreca.