Bashkimi Europian i ka bërë thirrje të gjithë deputetëve shqiptarë që të votojë zgjatjen e afateve të vettingut.

Përmes një postimi në “Twitter” delegacioni i BE në Shqipëri e konsideron një hap të rëndësishëm paraqitjen në Kuvend të projekt-amendamentit për zgjatjen e mandatit të organeve të Vettingut.

“Hap i rëndësishëm në Kuvend me paraqitjen e amendamentit kushtetues për zgjatjen e mandatit të organeve të vettingut, për të votuar të gjithë deputetët. Bashkimi Evropian mbështet fuqimisht zgjatjen e mandatit. Përfundimi i suksesshëm i procesit të vettingut është tejet i rëndësishëm për integrimin evropian të Shqipërisë”, thuhet në njoftimin e drejtorisë së Përgjithshme për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit, EU NEAR pjesë e Komisionit Europian.

Në të njëjtën linjë edhe ambasada e SHBA-së në vendin tonë mbështet deklaratën e Be dhe integrimin e Shqipërisë.

“Shtetet e Bashkuara mbështesin integrimin në Bashkimin Europian të Shqipërisë dhe janë dakord që mbështetja për amendamentin kushtetues që zgjat vettingun e mban Shqipërinë në rrugën e anëtarësimit. Vazhdoni të ecni përpara”, thuhet në postimin e ambasadës amerikane.