Ish-kryeministri Sali Berisha për herë të pare që prej aderimit në Partinë Demokratike nuk do të votojë në zyrën e selisë, por në një lokal të marrë me qira.

Për ironinë e fatit, lokali ku do të votojë të shtunën Sali Berisha për shkarkimin e Lulzim Bashës quhet “Bar Amerika”, sepse në fund të fundit i gjithë debati që lindi në PD e ka pikënisjen pikërisht nga shpallja “non grata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Dhe për të vazhduar më tej, ky lokal ndodhet edhe ngjitur me selinë e ambasadës amerikane në Tiranë.

Ndryshe nga disa degë të tjera të Tiranës ku proceset i kanë rregulluar në seli, dega numër 2 do të zhvillojë referendumin në një ambient të marrë me qira.

“Të nderuar anëtare dhe anëtarë të Partisë Demokratike Dega 2, Tiranë! Ditën e shtunë datë 18.12.2021 nga ora 08:00-17:00 do të zhvillohet Referendumi për Ratifikimin e vendimit Nr. 6 të Kuvendit për shkarkimin e Lulzim Bashës. Votimi do të zhvillohet pranë “Bar Amerika”, rruga përballë Shtëpisë së Fëmijëve “Zyber Hallulli”, në Rrugën e Elbasanit. Anëtarësia vendos!”, thuhet në mesazhin e degës numër 2 aty ku i takon të votojë edhe Sali Berishës.