Në një intervistë për herë parë pas përjashtimit nga Partia Demokratike, ish-kryeministri Sali Berisha ka komentuar vendimin e kryetarit Lulzim Basha dhe kryesisë së PD. Berisha i tha gazetares Juli Xhokaxhi se ky vendim është njësoj si të ngrihen të vdekurit dhe të thonë se këta të tjerët nuk janë gjallë pasi theksoi se Basha është i shkarkuar nga çdo pozitë përveç atij të deputetit.

“Tani në rrafshin politik kjo është njëlloj sikur të ngrihen të vdekurit politikë dhe të thonë se këta të tjerë nuk janë gjallë. Ai është një person i shkarkuar nga të gjitha detyrave veçse deputet”, deklaroi Berisha.

Ai u shpreh se Basha mbrohet me vrasës dhe trafikantë që sipas tij janë licencuar nga Edi Rama për të ngërthyer pengun e tij.

“Data 8 faktoi se ai është ish lideri që mbrohet me vrasës, trafikantë, fondamentalistë të cilët flitet se kanë background të ndryshëm nga pjesëmarrës në formacionet e Al Bagdadit, trafikantë droge, pengmarrës. Jam në kuadër të asaj që është publikuar.

Në kuadër të fotografive të publikuara vetëm një natë para protestës paqësore në atë strofull si të ishin në strofull krimi një grup i gjerë me një punonjëse të asaj godine duke pozuar. Kjo përbën dëshminë më të zezë. Ky grup mercenarësh nuk ndodhet në shpellat e alpeve apo Martaneshit por në mes të Tiranës. I licencuar nga Edi Rama për të ngërthyer nga të gjitha anët pengun e tij”, tha Berisha.

Dhuna në protestë/ Berisha: Nuk lënduam asnjë polic

Pas protestës PD zyrtare publikoi një video të momentit kur Sali Berisha orientoi turmën drejt selisë, por përse e bëri këtë? Ish-kryeministri u shpreh se arsyet ishin dy. “Me dy qëllime, largimi prej leckash i fondamentalistëve nga selia dhe largimi i butë dhe paqësor i Lulzim Bashës nga zyra”, tha ia.

E ndërsa selia u shkatërrua ditën e shtunë, Berisha tha se kjo ka qenë protesta më paqësore, pasi nuk është lënduar asnjë efektiv policie.

“Ne ishim te shtëpia jonë, por nuk ka protestë më paqësore, ju lutem, pyesni pak narko-policinë, ka ndodhur ndonjëherë ndonjë protestë ku të mos jetë plagosur asnjë policë? Ai (Basha) përmendi vallen e Osman Takës, por ai do të dilte me pekule nga zyra, por gazi që u hodh nga policia e Ramës dhe bandat e Bashës…”.