Ish-kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka dalë kundër komisionit hetimor të propozuar nga opozita për hetimin e zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit, të cilat ajo i quan një masakër elektorale.

Sipas Berisha, opozita duhet t’i denonconte parregullsitë e zgjedhjeve në institucionet dhe kancelaritë ndërkombëtare, ndërsa propozimin për komision parlamentar e konsideroi si lëvizje për të gënjyer njerëzit.

“Tani del dhe thotë po krijoj komision hetimor. Po çfarë komisioni, për të gënjyer njerëzit? Për çfarë duhet? Ti duhet të shkojë në OSBE, BE, kancelari të thoje si i mori zgjedhjet. Tani që ke nisur negociatat me të po i bën furça atij. Ndaj ky fenomen është fund e krye tradhti ndaj jush dhe ndaj shqiptarëve. Në mbrojtje të peng-kryetarit është vërsulur propaganda e qeverisë. Përpiqen të paraqesin variante, por e vërteta është se pengu është i pashpresë”, deklaroi nga “Foltorja” e Shkodrës, Berisha.