Kryetari i PD, Luzim Basha, ka folur për mediat një ditë pasi në selinë blu u depozituan 4200 firma të delegatëve për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar.

Kryetari i demokratëve tha se Sali Berisha nuk i ka mbledhur firmat për të vënë në lëvizje mekanizmat e Kuvendit.

Ai nënvizoi se asnjë institucion i Partisë Demokratike nuk do të marrë në shqyrtim vendimet e qeverisë amerikane.

Ndër të tjera, Basha pati një thirrje për liderin historik Sali Berisha që të mos harxhojë energjitë e demokratëve dhe të mos ndihmojë Edi Ramën.

Basha tha: “Jam thellësisht i zhgënjyer nga tallja që ka bërë me demokratët dje duke fshehur blofin e tij dhe mungesën e firmave për ¼ e Kuvendit që të vihet në lëvizje mekanizmi për thirrjen  Kuvendit. Nëse do i kishte mbledhur do ishin dorëzuar sipas statutit që të nisnin procedurat statutore që i njeh shumë mirë. Fakti që nuk e ka bërë demokratët e kuptojnë shumë mirë sepse ka qenë një blof dhe ajo që nisi si një betejë për demokratizimin e PD përfundoi si një betejë për hallet e tij personale dhe për pushtetin e tij personal.

Kuvend Kombëtar sa herë të jetë i nevojshëm jam i gatshëm ta thërras unë, për demokratët në një kuvend të demokratëve. Dua ta hedh poshtë gënjeshtrën e shpërndarë se PD dhe kryetari i saj nuk duan Kuvend. Jo. Ajo që kam thënë këtu dhe kudo tjetër është që asnjë kuvend dhe asnjë institucion i PD nuk do të marrë në shqyrtim vendimet e qeverisë amerikane. PD nuk do të kthehet në bunker për hallet personale as të Sali Berishës dhe të askujt tjetër, por do të mbetet shpresa e demokratëve. Sakrifica e tyre nuk do të shkelet me këmbë, por ne do të ecim përpara sepse kemi një armik dhe jo kundërshtar që është një regjim”.

Basha tha më tej se ka të dhëna që Rama “është bërë pjesë e përpjekjes për një puç brenda PD”.

“Kemi një regjim përballë dhe po shikoni që regjimi mbështetet në trekëndësh. Kemi të dhëna që regjimi është bërë pjesë e përpjekjes për një puç brenda PD. Kam vetëm një thirrje dhe një ftesë Sali Berishës. Nuk i kishe firmat dhe nuk i dërgove te organet statutore ashtu siç i di fare mirë rregullat e kësaj partie sepse ke qenë kryetar. Boll harxhove kohën dhe energjitë e demokratëve! Boll ndihmove Edi Ramën. PD do të bëjë gjithçka nën lidershpin e zgjedhur që kundërshtarin e vetëm të Shqipërisë dhe armikun e vërtetë të përditshmërisë së shqiptarëve, Edi Ramën dhe regjimin e tij ta çojë një orë e më parë përpara këtij fundi të merituar politik. Jemi në atë parlament që ky fund të vijë një orë e më parë për të rikthyer demokracinë dhe legjitimitetin në shina. Ne kemi çuar iniciativa dhe do të marrim çdo aksion politik që jo vetëm demokratëve, por gjithë shqiptarëve t’u kthehet vota e vjedhur dhe shpresa e vrarë.”