Në raportin e vet, Shërbimi Informativ Shtetëror ngrinte shqetësimin se institucionet u përballën me rritjen e goditjeve kibernetike. Në një kohë që të dhënat sensitive të qytetarëve po dalin në publik kjo tregon se apeli që shërbimi informative bëri ishte real.

“Aktivitetet online, shtetërore dhe jo-shtetërore, u përdoren edhe nga aktorët shtetërorë dhe krimi kibernetik si vektorë të rinj sulmi, për të arritur synimet e tyre. Risku i sulmeve kibernetike ndaj institucioneve në sektorët shëndetësorë, bankarë, të telekomunikimit dhe entiteteve politike vendimmarrëse, u rrit ndjeshëm”

Raporti i SHISH

Një situatë e tillë, sipas Shërbimit nisi që gjatë periudhës së pandemisë ku aktorët kibernetikë shtetërorë e jo-shtetërorë që veprojnë për llogari të tyre, kanë shfrytëzuar pandeminë edhe për të grumbulluar inteligjencë, me synim influencimin e opinionit publik sipas interesave të tyre.

Një tjetër shqetësim është dhe ai i mbledhjes së informacioneve nga shërbimet e huaja. Shërbimet e inteligjencës së këtyre vendeve u angazhuan në operacione informative, grumbullim informacioni për synime konkurruese gjeostrategjike.

Kalimi në shërbimet online në shumë sektorë bankarë e ekonomikë, do të rritë edhe kërcënimet kibernetike ndaj tyre. Çdo projekt digjitalizimi duhet shoqëruar me masat e duhura mbrojtëse. Por masat mbrojtëse digjitale në institucionet shqiptare po tregojnë një tjetër realitet. Veç pagave, doli se edhe gjendja civile ka mangësi në ruajtjen e të dhënave apo dhe sistemi i targave të automjeteve në republikën e Shqipërisë.