Sali Berisha përsëriti edhe një herë thirrjen për protestën e ditës së hënën në Tiranë, me rastin e mbërritjes në vendin tonë të presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, në kuadër të nismës Ballkani i Hapur.

“Sllobodani i ri, ish-Gëbelsi i Millosheviçit, do të pritet siç e meriton, me protesta, pasi vjen në kuadër të një projekti të aleancës që është kërcënim kombëtar për shqiptarët dhe kërcënim për paqen dhe stabilitetin”, tha Berisha. “Është vendosje e hegjemonisë serbe në rajon dhe hapje ndaj influencës ruse mbi këtë zonë. Ndaj edhe ne do të qëndrojmë fuqishëm dhe do të mbrojmë interesin kombëtar. Jemi absolutisht për bashkëpunim të shkëlqyer, por sa herë na shkelen interesat kombëtare do të jemi në këmbë. I them Ramës jepi fund lojërave se do të marrësh vendin që meriton”.

Berisha tha se protesta do të zhvillohet edhe për të kundërshtuar korrupsionin që ka përfshirë qeverinë Rama. “Të hënën në protestë, por çështja e dytë madhore është korrupsioni të cilin SPAK-u i partisë kërkon t’i vejë kapak me 3 milionë euro. Nuk mbyllet dot kështu një aferë 430 milionë euro. Shqiptarët do të kërkojnë llogari një për një”.