Kryeministri Edi Rama ka komentuar gjuhën e tij thumbuese ndaj opozitës në deklaratat e tij duke thënë se është krenar dhe e konsideron si mënyrë komunikimi që vjen natyrshëm.

Në emisionin “Open”, Rama tha se gjithçka që thotë është e vërtetë dhe kushdo mund ta konsiderojë satirë.

Rama: Jam krenar se është mënyrë komunikimi që më vjen natyrshëm, por nuk është e panjohur në mënyrat e komunikimit në botën e lirë dhe demokratike. Ju mund ta quani satirë, por unë mendoj që është e vërteta, e thënë me një mjet komunikimi që mund të quhet satirë. Satira nuk është as e ndaluar, as e pakëshillueshme.

Sa i përket mungesës së reagimit të Bashës për deklaratat e Berishës për vaksinën kineze, Rama thotë se hesht pasi nuk është lideri i PD.

Rama: Nuk e bën dot këtë. Por nuk ka rëndësi, secili bën atë që është më e udhës për të përcjellë mesazhin e vet dhe shtjellimin e panoramës. Pse nuk është e vërtetë që Basha nuk është lideri i PD?

Pse mendon kështu?

Rama: Jemi si e gjithë bota në kushtet e një lufte me një pandemi që kërkon respektimin e disa normave jo shumë të vështira, shumë të thjeshta madje dhe kërkon që të respektohen nga ata që kanë mundësi dhe japin shembullin e tyre si persona publikë. Ashtu sikundër është e padiskutueshme që nuk është një luftë partish, është një luftë për shëndetin që është mbi të gjitha partitë. Nëse në partinë time do dilte dikush e do të thoshte mos u vaksinoni se bëjnë dëm dhe nëse unë nuk do flisja, atëherë nuk do të isha në lartësinë e detyrës. Por nëse Saliu del e thotë që vaksinat janë vdekjeprurëse e ndalohen me protokoll për ata mbi 60 vjeç, që qeveria kineze i ka shkruar qeverisë shqiptare që të mos i përdorin dhe hesht e bën sikur s’dëgjon, kjo do të thotë se nuk është lideri i asaj partie.

Rama flet me tone të ashpra për LSI

Edi Rama ka folur me tone të ashpra për LSI duke thënë se është thjesht një sistem e trung familjar që kontrollohet nga Ilir Meta dhe dorëzania i mbetet Monika Kryemadhit.

Sa i përket Nasip Nacos dhe Lefter Kokës që u larguan nga LSI për tu bërë pjesë e ekipit të PS, Rama thotë se janë individë që kanë ardhur me vota, nuk janë promovuar në sfilatë.

Rama: Sot LSI është një degjenerim. LSI është Ilir Meta, Ilir Meta, pastaj janë nja 96 vende bosh dhe vendin e 100 e ka Monika Kryemadhi. Nuk ka LSI tjetër. Në atë rreth njerëzish nuk kam asgjë personale me askënd prej tyre. LSI është një filozofi, një sistem dhe një trung familjar dhe aty nuk ka gjë tjetër, tjerat janë gjethe vjeshte e pranvere. Unë kam punuar me ata njerëz dhe jo vetëm këta, por edhe aty ka njerëz që i respektoj si persona.

Nuk është çështja tek njerëzit, por tek sistemet. Është një permament që nuk shmanget dot. Me Nasip Naçon kam punuar, ka qenë ministër i drejtësisë i LSI, me Lefter Kokën kam punuar dhe më para se ka qenë para i PS, pastaj shkoi te LSI, pastaj tek PS dhe këta janë individë që vijnë në skuadrën tonë se janë njerëz me vota, nuk janë promovuar në sfilatë.

Kur i ka shërbyer Metës zoti Koka, si i ka shërbyer?

Rama: Çfarë më di ti mua? Këto janë muhabete si në kohën e partisë. Nuk kam dalë të përqafoj njerëz, përqafoj pleqtë dhe plakat që vaksinohen. Nuk merrem me njerëzit, kjo është fusha e ndeshjes. Këta janë lojtarë në fushë. Për Metën kam vetëm keqardhje që është katandisur, jam gati ta ndihmoj nga ana njerëzore. Në këtë fushë e konsideroj hall të madh për këtë vend. LSI si sistem të shpërfytyruar e konsideruar një çiban.

Aty është një sistem i ngritur nga Meta, i kontrolluar nga Meta, në funksion të Metës. Monika është dorëzania. Iliri shkon në presidencë, Monika ka për detyrë të drejtojë atë sistem mizerabël.