Apartamentet e ndërtuara nga Turqia në qytetin e Laçit në kuadër të procesit të rindërtimit kanë përfunduar dhe banorët e parë të tyre morën çelësat në fund të vitit të kaluar në një ceremoni ku i pranishëm ishte edhe kryeministri Edi Rama.

Megjithatë, kur u prezantua ndërtimi i 500 njësive të banimit me financimin turk premtimi i dhënë ishte se në ceremoninë e përurimit dhe dorëzimit të banesave do të ishte i pranishëm edhe Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan.

Në ceremoninë e dorëzimit të këtyre banesave, Kryeministri Edi Rama nuk e harroi mikun e tij Erdogan. Ai pati një falenderim të veçantë për të, ndërsa tha “se Erdogan u gjend krah nesh si të kishte lindur këtu, duke vënë në dispozicion gjithë miqësinë e tij”.

Por, një ceremoni e dytë përuruese e përfundimit të këtyre ndërtesave mund të realizohet brenda muajit janar dhe i pranishëm të jetë edhe Presidenti Erdogan. Jozyrtarisht nga Turqia thonë se Presidenti turk do të vizitojë Shqipërinë më 17 janar.

Në një intervistë dhënë për MCNTV, ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Paskal Milo kujton se më 17 janar të 1468-s ka vdekur Skënderbeu, ngjarje që më pas i dha mundësi Perandorisë Osmane të asaj kohe që të shtypë rezistencën dhe të pushtonte të gjithë trojet shqiptare.

“Vizita e Erdogan në Shqipëri vjen në ditën që ka vdekur Skënderbeu. Nuk e di nëse kjo ka një lidhje, apo është rastësi”, tha Milo.

Megjithatë, rindërtimi në Laç është vetëm një pjesëz e vogël e bashkëpunimit shumëpalësh mes Shqipërisë dhe Turqisë, që përfshin shëndetësinë, fushën e mbrojtjes, vaksinat e deri te politika e jashtme.

“Turqia është duke bashkëpunuar me Shqipërinë në industrinë e mbrojtjes. Paqja dhe stabiliteti në Shqipëri do të thotë paqe dhe stabilitet në të gjithë rajonin. Është në interesin tonë që të ndihmojmë Shqipërinë në luftën kundër terrorizmit, trafikut njerëzor dhe luftës kundër trafikut të drogës dhe çështje të tjera të sigurisë”, ka deklaruar më herët zëdhënësi i Erdogan, Ibrahim Kalin.

Në fushën e industrisë së mbrojtjes, Kryeministri Edi Rama ka njoftuar prej disa muajsh tashmë se Shqipëria do të pajiset me dronë për monitorimin e territorit. Ndërkohë, bashkëpunimi shtrihet në infrastrukturë, shëndetësi, tregti, siguri, energjitikë e deri te kultura dhe arsimi.

Thellësia e këtij bashkëpunimi, sipas historianit Milo duhet të shkojë deri aq sa e lejon bashkëpunimi në kuadër të NATO-s dhe të marrëdhënieve me SHBA.

“Turqia është një fuqi rajonale që ka pretendime të mëdha dhe mbështetur në traditën historike të Turqisë, patjetër që ndan me shqiptarët dhe popullsi të tjera një histori të përbashkët. Si e tillë BP ka një rëndësi për Turqinë për gjeopolitikën rajonale. Ajo e sheh Ballkanin si një sferë ku mund të ushtrojë aktivitetin e vet. Çështjet e karakterit strategjik janë, por duhet të mos dalin jashtë marrëdhënieve me NATO dhe SHBA”, tha ai për MCN.