Operacion i befasishëm i forcave RENEA që u zhvilluar një natë më parë është finalizuar me arrestimin e 19 personave. Në një njoftim për mediat policia bën me dije se si rezultat i kontrolleve të befasishme në Tiranë, Durrës, Lezhë, Shkodër, Vlorë dhe Gjirokastër u kapën dhe u arrestuan 19 persona, njëri prej tyre i shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Gjatë kontrolleve në Tiranë, Nikël/Krujë, Lezhë dhe Vlorë u sekuestruan dy armë zjarri pistoleta, municion luftarak, lëndë narkotike kokainë, shuma të konsiderueshme parash, aparate celulare, çipsa dhe letra bixhozi.

Në Nikël u kapën dhe u arrestuan në flagrancë për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, “Mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municioneve” dhe “Moskallëzim krimi”, Zenel Haka 22 vjeç, Gazmir Haka 23 vjeç dhe Marklen Haka 31 vjeç, pasi gjatë kontrollit në një lokal, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një armë zjarri pistoletë, municion luftarak dhe një sasi lënde narkotike kokainë e ndarë në doza gati për shitje.

Ndërkohë në Vlorë u arrestua në flagrancë Gentjano Mehmeti, 31 vjeç, pasi në lagjen “1 Maji”, Vlorë, në ambientet e lokalit të tij, këtij shtetasi gjatë kontrollit iu gjet një armë zjarri pistoletë, municion luftarak dhe një sasi lënde narkotike kokainë.

Në Gjirokastër është kapur dhe vënë në pranga një person në kërkim ndërkombëtar, Klement Shehu, 39 vjeç, banues në Libohovë, Gjirokastër. Gjykata e Apelit Romë/Itali, në vitin 2019, e ka dënuar këtë shtetas me 6 vjet burgim, për kryerjen e veprës penale “Organizatë kriminale me qëllim trafikimin e drogës ”, parashikuar nga Kodi Penal i Italisë. Këtij shtetasi i kanë mbetur për të vuajtur 4 vjet e 21 ditë burgim.

Nga ana tjetër në Tiranë janë arrestuar në flagrancë: Olsi Hasa 36 vjeç, banues në Tiranë, pasi kishte përshtatur lokalin, për organizimin e lotarive të palejuara, me anë të aparatit celular; Alfed Ulaj 21 vjeç, sepse në rrugën “Abdi Bej Toptani”, kishte përshtatur lokalin, për organizimin e lotarive të palejuara, me anë të aparatit celular; Mariglen Picari 43 vjeç, sepse në fshatin Picar, kishte përshtatur lokalin, për organizimin e lotarive të palejuara, me anë të aparatit celular; Marjus Dosti 32 vjeç, banues në Kavajë, pasi në lokalin e tij, me anë të aparatit celular, organizonte lotari të palejuara, me klientë të ndryshëm.

Aleks Delihasani, Ervis Sula dhe Lami Troci banues në Tiranë, pasi në Rrugën e Arbrit, në ambientet e lokalit në pronësi të shtetasit Trocit, u gjet një sasi me lëndë të dyshuar narkotike kokainë.

Në Lezhë janë arrestuar në flagrancë: Gentian Ndoj 34 vjeç, pronari i një lokali në Shënkollë dhe Anton Kola 25 vjeç, pronari i një lokali në Zejmen, për veprat penale “Organizimi i lotarive të palejuara”, “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve” dhe shtetasit Aleksandër Bardhoshi 52 vjeç, Albert Marku 38 vjeç, Jeton Locaj 37 vjeç, Renato Gjura 23 vjeç, Ervin Nika 30 vjeç (klientë në lokal), pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin ushtronin veprimtarinë e paligjshme të lojërave të fatit.

Kontrollet do vijojnë në gjithë territorin, për të parandaluar e goditur paligjshmërinë.