Rekord rastesh të reja me koronavirus në botë. Organizata Botërore e Shëndetësisë raportoi se 307.930 persona të tjerë ishin infektuar me Covid-19, shifra më e lartë ditore e regjistruar deri më tani.

U shënuan gjithashtu 5500 vdekje në 24 orë, duke e çuar totalin në mbi 817 mijë. Rritja më e lartë  e rasteve raportohet në 3 vende, India, Shtetet e Bashkuara dhe Brazil. Në gjithë globin deri më tani janë regjistruar 28.6 milionë te prekur me koronavirus, shumica e të cilëve në kontinentin amerikan.

“Europa rrezikon të përballet me një rritje të numrit të viktimave”

Organizata Botërore e Shëndetësisë është shfaqur e shqetësuar për numrin e lartë të viktimave dhe personave të infektuar me Covid-19.

Përmes një deklarate për mediat, drejtori i zyrës së OBSH-së, Hans Kluge deklaroi se situata gjatë muajit tetor dhe nëntor pritet të përkeqësohet.

“Situata do të përkeqësohet. Në muajin tetor dhe nëntor ne do të përballemi me rritje të mortalitetit”, tha ai.

Edhe pse kontinenti po përballet me një rritje të numrit të rasteve, numri i vdekjeve ka mbetur relativisht i qëndrueshëm.

Mirëpo, duke filluar nga muaji tjetër ne presim një rritje të ndjeshme të vdekjeve.

Hans Kluge lëshoi ​​një paralajmërim për ata që besojnë se zhvillimi i një vaksine do t’i japë fund pandemisë.

“Disa mendojnë se vaksina do t’i japë fund pandemisë, sigurisht që jo. Ne nuk e dimë nëse vaksina do të funksionojë tek të gjitha grupet e popullatës”, theksoi Kluge.