Kreu i grupit parlamentar të PD, Enkelejd Alibeaj ka bërë një denoncim në Kuvend kur iu drejtua kryeministrit Edi Rama dhe i tha se “sot 45 kg kokainë të njeriut tënd u kapën“.

Duke iu referuar deklaratave të Ramës për non gratat në PD, Alibeaj iu drejtua: “mos harro dy i ke në burg e lista e pritjes duket që është e gjatë për këtë merakosu ti“.

Enkelejd Alibeaj: Prapë nuk ktheve përgjigje për kajmakun e ke mbrojtur ia ke fshehur drejtësisë. Si ishte puna e domateve? Ne me domate do merremi me ata katunarët tanë, me të ngratët, ti merresh me lulet e Kajmakut brenda të cilave ndodhet kokaina.

Edhe sot 45 kg kokainë të njeriut tënd u kapën apo jo, po po të njeriut tënd.

Si ishte puna e non gratave? Bëhu burrë një herë më në fund fol për non gratat e tua, i ke me shumicë në grupin tënd.

Gjysmë zëri nuk e nxjerr për raportin e DASH ta ka thënë në shqip e anglisht, në mënyrën më plateale del e i mbron e bashkon votat me ta.

Bëhu burrë një herë e mos i ul poturet para tyre se kjo është shumë e rëndësishme për të mirën e shqiptarëve.

Për t’u bërë burrë ti e shumë të tjerë ende vazhdon në sirtaret e këtij parlamenti vetingu për politikën.

Ke ti fuqinë ta bësh këtë punë? Sot nëse ka një kërkesë është kjo, të shpëtojmë shqiptarët nga aleanca me krimin që ti ke bërë.

Se dole mbrojte reformën në drejtësi, a nuk ishe ti që sëkëllije te asambleja e PS e i tregoje SPAK të bëjë këtë e atë?

Kjo është reforma në drejtësi e jotja?

Dhe e fundit mos harro dy i ke në burg e lista e pritjes duket që është e gjatë për këtë merakosu ti.