Trazirat në Republikën e Kazakistanit vazhdojnë. Në Almati ka pasur përpara bashkisë “shkëmbime të forta zjarri” mes grupesh të armatosura dhe ushtrisë, njoftoi agjencia shtetërore ruse Tass. Sipas zëdhënësit të policisë Saltanat Asirbek, “forcat ekstremiste” u përpoqën të sulmonin ndërtesat e administratës, si dhe selinë dhe disa stacione policie në Almati.

Ndërkohë, forcat e udhëhequra nga Rusia kanë mbërritur në Kazakistan me kërkesë të liderit autoritar të vendit, për të shtypur protestat antiqeveritare.

Ministria e Brendshme tha se 26 kriminelë të armatosur ishin eliminuar, ndërsa 18 oficerë sigurie u vranë gjatë trazirave, të shkaktuara nga rritja e çmimit të karburantit.

Në kryeqytetin ekonomik të Kazakistanit, Almaty, të enjten pasdite, pati të shtëna me armë zjarri dhe shpërthime me forcat e policisë që shiheshin duke gjuajtur me armë zjarri, pasi rrethuan një grup prej rreth 200 personash, njoftoi shërbimi rus i lajmeve Sputnik.

Ushtria u vendos gjithashtu të enjten pasdite, duke përfshirë parashutistët rusë të dërguar nga Moska pasi presidenti Kassym-Jomart Tokayev i kërkoi organizatës rajonale ndërqeveritare ushtarake CSTO që të ndërhynte.

OKB, SHBA, Britania e Madhe dhe Franca u kanë bërë thirrje të gjitha palëve që të përmbahen nga dhuna.

Interneti nuk funksionon dhe pak informacione të pavarura po vijnë. Më shumë se 3000 njerëz janë arrestuar, tha Ministria e Brendshme.

Sipas mediave lokale, në të gjithë vendin janë ngritur 70 postblloqe.

Në një deklaratë të premten, presidenti Kassym-Jomart Tokayev tha se rendi kushtetues ishte rivendosur kryesisht në të gjitha rajonet e vendit dhe se autoritetet lokale ishin në kontroll të situatës.

Presidenti, i cili ka fajësuar “terroristët të trajnuar” nga të huajt për trazirat pa dhënë dëshmi, tha se operacionet do të vazhdojnë derisa “militantët të eliminohen plotësisht”.

Protestat që filluan më 2 janar në perëndim të Kazakistanit me arsyen e rritjes së çmimit të gazit të lëngshëm dhe situatës socio-ekonomike në vend u përhapën edhe në pjesë të tjera të vendit.