Ish-kryeministri Sali Berisha ka zbuluar një kulisë interesante lidhur me koalicionin me LSI-në për zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit. Berisha tha për Syri Tv se për arritjen e një koalicioni të përbashkët kishte takuar edhe presidentin Ilir Meta.

“Vetëm për këto zgjedhje do jemi me LSI. Marrëveshjen po e firmosin Flamur Noka nga ana jonë dhe sekretari i Përgjithshëm i LSI nga ana e tyre. Do jenë edhe parti të tjera si Partia Demokristiane, etj.

Me LSI-në kemi pasur bisedime në të gjitha nivelet. Edhe unë kam pasur bisedime me zotin Meta. Nuk kemi folur për detaje, por ju e dini që unë kam deklaruar se jam për koalicion me LSI-në. Nuk e kam fshehur këtë”, tha Berisha.

I pyetur se me ç’tagër kishte negociuar një marrëveshje për LSI-në, Presidenti i Republikës, Berisha tha se me Metën nuk kishte pasur negociata, por vetëm bisedime në parim.

“Nuk kanë qenë negociata, por kemi folur për këtë. Unë e kam takuar zotin Meta. Kam takuar të gjithë kryetarët e partive opozitare, përveç zotit Dule që ndodhet jashtë vendit. Por edhe me të kam kontaktuar në telefon” – tha Berisha.

Pak ditë më parë Presidenti Meta mohoi ta ketë takuar së fundmi Berishën duke u shprehur se kishte mbi një vit që nuk ishte ulur me të dhe madje për këtë shprehu keqardhje.