Është zbardhur dosja për aksionin ku u arrestuan 7 persona që falsifikonin lejet për xhamat e errësuar të automjeteve në Tiranë dhe Durrës.

Të arrestuarit për këtë çështje janë Qamil Domi, Erjon Rakipllari, Erges Zaka, Yllka Graceni, Artan Frroku, Artan Murati dhe Zef Ndoca, ndërsa në kërkim është shpallur R.A. 22 vjeç.

Sipas dosjes së Prokurorisë, ndalimi i 7 personave u bë pas përgjimeve nga një bashkëpunëtor i drejtësisë.

Bashkëpunëtori kishte shkuar më datë 16 nëntor 2021 pranë Drejtorisë Rajonale të Shërbimit të Transportit Rrugor për t’u interesuar sa kushton rinovimi i dokumentacionit të mjetit të tij.

Aty pranë është pyetur nga një grua e identifikuar si Yllka Graceni 61 vjeçe, agjente në një kompani private sigurimesh, përse interesohej dhe çfarë shërbimesh i nevojiteshin.

Pasi i pa makinën, ajo iu drejtua bashkëpunëtorit të drejtësisë duke i thënë “përse nuk e vesh me xhama të zinj”, duke e garantuar se përmes njohjeve të saj me punonjës të Drejtorisë së Transportit Rrugor, do t’i mundësonte dokumentacionin përmes ryshfetit.

Bëhet fjalë për errësimin e xhamave të përparmë dhe të pasmë të makinës në masën 100%, gjë të cilën nuk e parashikon ligji. Dhe për këtë, bashkëpunëtori i drejtësisë do të duhej të paguante ryshfet 40 mijë lekë të vjetra.

Sipas dosjes, kolaudimin e makinës e garantonte agjentja e sigurimeve në Fushë-Prezë me pretendimin se aty kishte njohje me punonjës të ndryshëm.

Në dosjen janë të gjitha përgjimet mes bashkëpunëtorit të drejtësisë dhe personave të arrestuar që kanë bashkëpunuar për të falsifikuar lejet e errësimit të xhamave të makinave më shumë se sa e lejon ligji.