Gjykata Kushtetuese shqyrton sot çështjen e shkarkimit nga detyra të Presidentit Ilir Meta pas vendimit të Parlamentit të legjislaturës së kaluar, që miratoi me 104 vota shkarkimin e tij.

Në seancën e Gjykatës Kushtetuese janë të pranishëm kreu i grupit parlamentar të PS Taulant Balla dhe kryetarja e Komisionit të Ligjeve Klotilda Bushka, si dhe përfaqësuesi ligjor i Presidencës.

Në qershor të vitit te kaluar, 104 deputetë votuan pro shkarkimit të Presidentit Meta. Mazhoranca socialiste e fajëson atë për deklarata publike para dhe gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare, të cilat sipas socialisteve kanë shkelur Kushtetutën.

Votimi u bazua në gjetjet e raportit të hartuar nga komision hetimor i ngritur për të hetuar qëndrimin e Presidentit Meta para dhe gjatë fushatës elektorale të zgjedhjeve parlamentare 2021.

Meta e ka konsideruar të paligjshëm vendimin për shkarkimin e tij. Por përmes një postimi në faqen e vet në Facebook mëngjesin e sotëm, kreu i shtetit lajmëroi se avokatët e tij do të paraqiten në seancën e Gjykatës Kushtetuese.