Bojken Abazi, i lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri, i cili është një nga kandidatët që do të garojë në kryeqytet në zgjedhjet e 25 Prillit, shpjegoi në studion e “Absolut 4” në A2 pse VV vendosi të mos garonte si parti politike.

“Vetëm në fund të dhjetorit u kuptua forma përfundimtare që do të merrte Kodi Zgjedhor, si dhe nuk e dinim çfarë do të ndodhte në Kosovë. Vetëm kur ishim të sigurtë që zgjedhjet atje do të mbaheshin para zgjedhjeve në Shqipëri, menduam që hapi më i drejtë do të ishte që të mbështesnim 3 kandidatura. Nëse do të kishim garuar si subjekt politik, do të duheshin 3000 firma për gjykatë dhe 5000 për KQZ, si dhe lista të plota në secilën zonë zgjedhore”, deklaroi Abazi.

Kur u pyet se sa e vështirë ka qenë për të mbledhur firmat, Abazi u shpreh: “Pandemia dhe moti e kanë vështirësuar këtë proces. Edhe Bashkia Tiranë nuk na ka dhënë leje për një tendë, por këto pengesa do të tejkalohen”.

Në lidhje me zgjedhjet në Kosovë, Abazi u shpreh: “Partitë e regjimit të vjetër janë në hall, pasi e shikojnë që tani, Vetëvendosja po merr vota edhe mes njerëzve të mëdhenj në moshë dhe në zonat rurale, ku më parë nuk kishte vota. VV synon të marrë 61 mandate nga 100 të rezervuara për partitë shqiptare. Synojmë një fitore historike, që nuk ka ndodhur kurrë në Kosovë. Shumë qytetarë e shohin si shpresën e fundit të Kosovës”.