Konferenca e Kryetareve ka vendosur që të mërkurën në datën 9 qershor në orën 10:00 të zhvillohet seanca për çështjen e shkarkimit të presidentit Ilir Meta.

Në këtë seancë pritet të zhvillohet procesi i votimit, ku duhen 94 vota për shkarkimin e kreut të shtetit.

Më 28 maj, Komisioni Hetimor Parlamentar miratoi në mënyrë unanime raportin përfundimtar për shkarkimin e presidentit, pasi sipas tyre kreu i shtetit ka shkelur rëndë Kushtetutën para dhe gjatë procesit zgjedhor të 25 prillit.

Nëse të mërkurën Kuvendi vendos pro shkarkimit të presidentit, më pas kjo çështje i kalon Gjykatës Kushtetuese, e cila është organi më i lartë që jep vendimin final për këtë nismë të 49 deputetëve socialistë.

Aktualisht ky organ është me 7 nga 9 anëtare që duhet të ketë. Por gjithsesi çdo vendim i kësaj gjykatë përfshirë dhe ky për vlerësimin e shkeljeve kushtetuese nga ana e Presidentit, që pranohet kërkojnë të mbështetet nga shumica e anëtarëve që janë në detyrë. Pra të paktën 5 prej tyre duhet shprehen pro shkarkimit.

Mandati i Presidentit përfundon në Korrik të 2022 dhe nëse ai do të përfundojë përpara këtij afati me vendim të Gjykatës Kushtetuese kjo do të përbënte precedentin e parë të shkarkimit të një Presidenti në vendin tonë.