Britania e Madhe bëhet vendi i parë në botë që zyrtarizon një vaksinë anti-Covid për përdorim masiv.

MHRA, rregullatori britanik i dha dritën jeshile duke deklaruar se vaksina, që ofron efektivitet deri në 95 për qind është e sigurtë për përdorim masiv.

Pas këtij vendimi, BBC thotë se shpërndarja për grupet e rriskut pritet të fillojë brenda pak ditësh.

Britania ka porositur 40 mln doza, që vlerësohen mjaftueshëm për të vaksinuar 20 mln njerëz.

Porosia e parë prej 10 mln dozash pritet që të merret në dorëzim nga autoritetet brenda kësaj jave.

Vaksinimi do të nisë me mjekët, policët, pensionistët për të vijuar me personat me probleme shëndetësore dhe më pas pjesa tjetër.

Me këtë autorizim, vaksina e Pfizer/BionTech hyn në histori si vaksina më e shpejtë e prodhuar dhe miratuar për përdorim. Ajo u zhvillua për 10 muaj, në një proces që në kohë normale mund të kërkojë deri 10 vite.

Pavarësisht këtij lajmi, autoritetet britanike u kanë bërë thirrje qytetarëve që të ruajnë vigjilencën, distancimin fizik, maskat dhe higjienën, pasi procesi i vaksinimit dhe imunizimit të popullsisë do të kërkojë disa muaj.