Policia e Shtetit ka kërkuar bashkëpunimin e qytetarëve për të bërë të mundur lokalizimin dhe kapjen e 5 personave më të kërkuar në vend.

Ata janë Talo Çela 51 vjeç, Erjon Llapushi 34 vjeç, Ibrahim Lici 29 vjeç, Laert Haxhiu 30 vjeç dhe Jani Alia 45 vjeç.

Këta persona janë në kërkim nga policia për vepra të rënda penale kundër personit dhe pronës.

Njoftimi i Policisë së Shtetit

Policia e Shtetit është e angazhuar maksimalisht për kapjen e personave në kërkim kombëtar dhe ndërkombëtar, kryesisht të atyre me rrezikshmëri të lartë shoqërore.

Falë dhe bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë, por edhe me qytetarët, gjatë tremujorit të parë të vitit 2022 janë kapur dhjetëra persona në kërkim kombëtar e ndërkombëtar, për vepra të ndryshme penale në fushën e krimeve kundër personit, pronës dhe në kuadër të krimit të organizuar.

Policia e Shtetit falenderon qytetarët për besimin dhe bashkëpunimin e deritanishëm, si dhe kërkon sërish bashkëpunimin e tyre për të bërë të mundur lokalizimin dhe kapjen e disa prej personave më të kërkuar, për vepra të rënda penale kundër personit dhe pronës, konkretisht të shtetasve:

TALO ÇELA, LAERT HAXHIU, JANI ALIA, IBRAHIM LICI DHE ERJON LLAPUSHI

Për çdo informacion të vlefshëm që do të çojë në lokalizimin e vendndodhjes së këtyre personave, Policia e Shtetit vë në dispozicion shuma të konsiderueshme parash.

Cilido që mund të disponojë informacione të vlefshme, të telefonojë në numrin e celularit 069 41 10 853, duke iu garantuar anonimat të plotë.

Bashkërisht për një ambient më të sigurt!