Çdo familje që do të kalojë fashën e 700 kilovat/orë, do të duhet ta paguajë më shtrenjtë energjinë elektrike, pa subvencione nga shteti.

Kështu u shpreh ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, pas mbledhjes së qeverisë, kur u pyet në lidhje me deklaratat e kryeministrit Edi Rama në Kongres për çmimin e energjisë.

Sipas Ballukut, në këtë fashë të çojnë të gjitha analizat dhe studimet e kryera për sasinë e energjisë që i duhet një familjeje normale dhe që pritet të merret në ditët në vijim.

“Nuk i ndajmë dot në të pasur e të varfër, por përdorues me sasi të mëdha të kilovatorëve. Ne jemi në përfundim të një analize e studimi që tregon sesa i duhen një familjeje për të pasur një konsum normal. Duke pasur analizën se cila konsiderohet sasi normale çdo kilovat/orë do të faturohet pa subvencione nga qeveria. Të gjitha analizat na çojnë në fashën 700 kilovat/orë që konsiderohet një konsum normal për një familje me 4-5 anëtarë. Mbi këtë fashë do të paguhet me çmim më të lartë. Ne nuk i ndalojmë dot qytetarët që të ndriçojnë”, tha Balluku.