Për vdekjen në rrethana misterioze pas shoqërimit nga policia të 32-vjeçarit Lear Kurti, kreu i PD, Sali Berisha, kërkon dorëheqjen e ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi.

Në një bashkëbisedimin me gazetarët këtë të premte, Berisha u bëri thirrje qytetarëve të marrin pjesë në protestën që pritet të mbahet në orën 20:00 pranë Ministrisë së Brendshme.

“Pra kemi të bëjmë me një skenar, me të cilin e vranë për së dyti Lear Kurtin. Një i ri normal, një i ri për të cilin shokët e tij kishin vetëm fjalët më të mira. I rritur me sakrifica të mëdha nga familja e tij.

Kërkoj menjëherë largimin nga detyra të ministrit të familjes, që së bashku me Ardi Veliun që janë të gatshëm që të falsifikojnë çdo krim. Ky është morali i Edi Ramës, ndaj ai ka një përzgjedhje të preferuar me njerëzit që sillen në këtë mënyrë. Edhe njëherë ngushëllimet më të ndjera familjes së Lear Kurtit, miqve dhe familjarëve të tij.

Të rinjtë kanë lënë një protestë. Ftoj të gjithë qytetarët të bashkohen në protestë. Sepse pritet kush do jetë i riu i radhës që do ekzekutohet nga policët e droguar, ose që do humbasë jetën nga keqtrajtimet brutale”, tha Berisha.

Berisha është shprehur se ka të dhëna se Lear Kurti ndërroi jetë pasi u keqtrajtua brutalisht nga policia pasi u shoqërua.

“Lear Kurti po kthehej në banesën e tij, iu kërkua të ndalonte dhe e besueshme, ajo që thotë policia, se nuk ndaloi. Por Lear Kurti nuk ishte i armatosur. Lear Kurti nuk po kryente asnjë vepër flagrante. Në vendin ku u ndalua dhe në të gjithë zonën, kishte kamera të panumërta, me të cilat mund të identifikohej pa asnjë vështirësi.

Por pavarësisht nga këto, patrulla e policisë u vërsul drejt tij, e ndoqi dhe si përfundim e çoi të vdekur në komisariat.

Sipas të dhënave nga një keqtrajtim brutal dhe terror i vërtetë ndaj tij. Asnjë rregull nuk është respektuar në hetimin e kësaj vrasjeje. Në hetimin e kësaj barbarie ndaj një njeriu. Të supozojmë se këtij i ndaloi zemra vërtet, por për të faktuar këtë gjë, duhej korrektesa absolute në çdo hap. Nuk vdes natyralisht një i ri 32-vjeçar. Ka injorancë të kriminelëve që shpallin një gjë të tillë. Është përjashtim i të gjitha përjashtimeve”, tha Berisha.