30 persona janë helmuar të dielën në Bulqizë, raportuan gazetarët lokale.

Dyshimet janë se janë helmuar nga uji i pijshëm. Mendohet se tubacionet e ujit janë dëmtuar dhe uji i pijshëm është përzierë me ujërat e zeza.

Personat e helmuar janë paraqitur pranë qendrës shëndetësore Shupenzë.

Sipas informacioneve paraprake, fillimisht janë helmuar tre pjesëtarë të një familje.

Në Qendrën Shëndetësore të Shupenzës aktualisht janë shtruar 30 persona, të cilët po marrin serum.

Ndërkohë raportohet se në spital po vazhdojnë të shkojnë edhe persona të tjerë nga Gjorica, Hoshaten dhe Shupenza.

Sipas mjekëve, është ende e paqartë se nga ka ardhur helmimi, kjo pasi pacientët kanë shkuar nga zona të ndryshme.