Kreu i Bashkisë së Hasit, Liman Morina u shpreh për Euronews Albania se në sheshin kryesor të qytetit të Hasit do të vendoset busti i mbretëreshës Elizabeth II.

Morina tha se vendimi pritet të merret në mbledhjen e radhës së Këshillit Bashkiak, ku nënvizoi se do të financojnë emigrantët.

“Ideja e vendosjes së një statujë për Elizabeth II në Has do të jetë më e madhe. Hasjanët kanë përfituar nga Mbretëria e Bashkuar. Mbi 80% e familjeve hasjanë që ushqehen dhe mbahen falë Mbretërisë së Bashkuar.  Këshilli Bashkiak do të marrë këtë vendim këtë të hënë për të marrë një vendimmarrjes për vendosjen e vendit dhe caktimin e sheshit.  Në sheshin qendror do vendoset. Financimi do të bëhet nga emigrantët që jetojnë në Mbretërinë e Bashkuar”, u shpreh ai në Euronews Albania.

Mbretëresha Elizabeth II ndërroi jetë në moshën 96-vjeçare dhe hyri në histori si monarkja më jetëgjatë britanike. Elizabeth II ishte edhe mbretëresha më jetëgjatë e një vendi. Ajo qëndroi në fron për 70 vjet, nga viti 1952 kur mori postin pas vdekjes së babait të saj.