Gent Cakaj i ka dorëzuar detyrën ministres së re të Jashtme, Olta Xhaçka.

Gjatë një konference ku ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, Cakaj falënderoi kreun e qeverisë për mbështetjen në këtë detyrë, ku theksoi pa të gjithçka të do kishte qenë e pamundur.

Sipas Cakajt pandemia ka ndikuar në punën e diplomacisë dhe u shpreh se ka punuar në rrethana shumë të vështira.

“E ndjej detyrim moral të falënderoj kryeministrin për mbështetjen që më ka dhënë. Duke e konsideruar misionin tim të përmbushur them se pa mbështetjen e kryeministrit  misioni im do kishte qenë i pamundur. Edhe pandemia ka ndikuar në punën e diplomacisë. Kemi punuar në rrethana shumë të vështira”, tha Cakaj.

Ndërsa, kryeministri Edi Rama nënvizoi se Cakaj vijoji punën e tij duke qenë i paragjykuar dhe i sulmuar. Sa i përket ministres së re, Rama u shpreh se është në lartësinë e duhur për një detyrë të tillë.

“Dua ta falënderoj nga zemra Gentin për gjithçka që bëri në këto dy vite në këtë detyrë aspak të lehtë, përtej faktit që u godit në mënyrë absurde dhe aq të shëmtuar, për të qenë i paragjykuar ia doli që ta mbajë më sukses barrën dhe të tregojë hap pas hapi të gjitha cilësitë e tij. Më vjen shumë mirë që stafeta sot i kalon Oltës, tani ka një eksperiencë jo të vogël. Është në lartësinë e duhur për ta marrë këtë stafetë dhe për ta çuar para punën e këtij institucioni”, tha kreu i qeverisë.

Ndërkohë ministrja e re Olta Xhaçka u shpreh se detyra e re është një sfidë për të.

“Detyra që më është besuar në këtë fillim viti është një sfidë e jashtëzakonshme për mua”, tha ajo.

Ministrja e Jashtme premtoi më tej se do të përmirësojë shërbimet konsullore për qytetarët.

“Unë do të krijoj menjëherë një grup pune me ambasadorët me më shumë përvojë për të piketuar një sërë hapash për reformimin e shërbimin tonë diplomatik dhe do ju ftoj që të jepni idetë tuaja”, përfundoi ajo.