Britania e Madhe rikthehet në izolim për herë të tretë ndonëse vendi ka nisur vaksinimin me dy vaksina. Kryeministri Boris Johnson vizitoi disa nga qytetarët të cilët u injektuat me vaksinën e prodhuar nga AstraZeneca dhe Universiteti i Oksford. Por pavarësisht të gjithave, kreu i Downing Street vendosi të fusë Britaninë në ‘lockdown’ pasi vendi po përballet edhe me shfaqjen e variantit të ri të SarsCov 2.

“Ndonëse vendi aktualisht është nën masa ekstreme kufizimi, është e qartë se edhe me nisjen e vaksinimit ne duhet të bëjmë më shumë në mënyrë që të vendosim në kontroll llojin e ri të virusit. Prandaj do të kalojmë në një izolim të tretë kombëtar, i cili është po ashtu i vështirë. Kjo do të thotë që qeveria edhe një herë ju kërkon të qëndroni në shtëpi”, tha Boris Johnson, kryeministër i Britanisë së Madhe.

Vendimi  i qeverisë pason një paralajmërim nga zyrtarët kryesorë të shëndetit  që kanë thënë se duhen ndërmarrë aksione, pasi kapaciteti i Shërbimit Shëndetësor Kombëtar të vendit mund të mbingarkohet brenda 21 ditësh. Një tregues i zymtë i situatës është se në Angli shtrimet në spitale janë rritur me 50% që nga dita e Krishtlindjes.

Masat e reja kufizuese parashikojnë se të gjitha shkollat e kolegjet mbyllen dhe mësimi do të vijojë në versionin online.  Studentët nuk do të rikthehen në kampuse dhe mësimi do të jetë online. Qytetarët nuk mund të largohen nga shtëpitë e tyre vetëm për disa arsye, blerje, apo nevoja mjekësore.