Pas 150 ditësh nga ndeshja e fundit, UEFA Champions League rikthehet sot me dy nga katër ndeshjet e mbetura nga faza e 1/8-ve: Juventus-Lyon dhe Manchester City-Real Madrid.

Kampionët e Italisë dhe të Spanjës duhet të përmbysin rezultatet e ndeshjeve të para luajtur më 26 shkurt përpara se futbolli të ndërpritej për të paktën 3 muaj në Evropë për shkak të pandemisë së COVID-19.

Asokohe Juventus u mund në Francë 1-0, ndërsa Reali i Madridit u mund në shtëpi 2-1.

Skuadra e trajnerit Rudi Garcia duket në pozita krejt të tjera krahasuar me 5 muaj më parë.

Kampionati francez u mbyll në fund të prillit pa u luajtur më duke shpallur kampion PSG-ën.

Pas 4 muajsh pa luajtur, Lyoni zhvilloi 5 ndeshje miqësore në korrik e më pas më datë 31 zhvilloi finalen e Kupës së Francës, të cilën e humbi 1-0 me PSG-ën.

Në anën tjetër Juventusi u rikthye në fushë më 12 qershor dhe deri më 1 gusht luajti 14 ndeshje, të cilat, edhe pse me disa probleme me lëndimet, i kanë rikthyer formën skuadrës.

Pas disa problemesh fizike, Cristiano Ronaldo është gati për bardhezinjtë, ndërsa dilema e vetme është nëse do të mund të aktivizohet Paulo Dybala.

Për sa i përket ndeshjes tjetër, Zinedine Zidane ka pasur 10 ditë kohë për t’u përgatitur për përballjen me Manchester City-in. Madrilenëve do t’u mungojë kapiteni Sergio Ramos, i ndëshkuar me karton të kuq në ndeshjen e 26 shkurtit dhe po kështu edhe Gareth Bale, mirëpo Zidane është optimist për faktin se shumë lotjarë të tjerë, mes tyre Eden Hazard, kanë mundur të riaftësohen nga lëndimet dhe janë gati për një nga 4 finalet e mbetura, sikurse i ka cilësuar ai përballjet në Champions League.

Për Blutë e Manchesterit, shqetëson mungesa e Sergio Agueros, i lënduar në gju. Trajneri Pep Guardiola ka thënë se ai është duke u riaftësuar në Barcelonë dhe se nëse City do të vazhdojë më tej shpreson shumë që ta ketë gati për finalen e Lisbonës.

Kush kualifikohet nga këto dy sfida do të përballet me njëra-tjetrën në çerekfinale.

Nga faza e 1/8-ve janë eliminuar Tottenham, Liverpool, Valencia dhe Borussia Dortmund. Në çerek-finale janë përcaktuar aktualisht çiftet Leipzig-Atletico Madrid dhe Atalanta-PSG.

Mbetet për t’u parë se kush do të kualifikohet nga përballjet e mbetura të 1/8-ve, ku përveç sfidave të sotme, janë dhe ndeshjet e kthimit mes Napoli (1-1) Barcelona dhe Chelsea (0-3) Bayern Munich.