Chelsea është vënë në kërkim të një sulmuesi në këtë merkato vere, pasi gjermani Timo Werner nuk bindi sezonin e kaluar kur shënoi vetëm 6 gola në kampionat.

Trajneri Thomas Tuchel kërkon me ngulm të nënshkruajë me një tjetër sulmues ku në listë janë Haaland apo Lukaku, të cilët kanë qenë në shënjestër të kampionëve të Europës në javët e fundit.

Olivier Giroud u largua për te Milani pak ditë më parë, ndërsa me valixhet gati është edhe i riu Tammy Abraham. Në këtë situatë përfitoi sulmuesi shqiptar Armando Broja, i cili në dy ndeshje miqësore arriti të realizojë dhe tifozët u “dashuruan” menjëherë me të.

Megjithatë, një ditë më parë Tuchel zhgënjeu tifozët duke e çuar Brojën në skuadrën e 23-vjeçarëve, ku edhe aty ai realizoi një gol mjaft të bukur, por u la jashtë ndeshjes miqësore të së dielës ndaj Arsenalit, ku të gjithë fansat prisnin ta shihnin sërish në aksion shqiptarin.

Broja nuk ishte në listën e lojtarëve të grumbulluar për miqësoren ndaj Arsenal dhe menjëherë pas postimit në faqen zyrtare të klubit nisën komentet e panumërta të tifozëve londinezë, të cilët kërkonin “shpjegime” për këtë vendim.

“Ne lëmë sulmuesin tonë më të mirë të luajë me 23-vjeçarët? Kjo është e papranueshme. Tammy Abraham duhet të shitet menjëherë”, shkroi dikush në Twitter.